I mërzitur me Lampard, ylli i Chelseas do të transferohet tek Interi

Është e qartë dhe e vendosur: Interi ka nevojë për një sulmues, i cili të forcojë atë repart, që papritmas iu minimizuan opsionet, pas dëmtimeve të Politano dhe Sanchez. Vullneti i Giuseppe Marotta është t’i japë një përforcim tjetër ofensiv trajnerit Conte, duke përfituar nga merkatoja e janarit, e cila zakonisht nuk ofron shumë mundësi. Sidoqoftë, njëra prej mundësive elitare quhet Olivier Giroud, të cilit i skadon kontrata me Chelsea në 30 qershor 2020.

Momenti që po përjeton francezi, kampion bote, është paradoksal: rezervë fikse në klub (vetëm 120 minuta ka luajtur në Premier League, pas Abrahamit në hierarki) dhe protagonist absolut me kombëtaren. Giroud është një mundësi për të përfituar nga Interi, i gatshëm t’i ofrojë një kontratë për 18 muaj; siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”. Megjithatë, francezi dëshiron të nënshkruajë deri në vitin 2022, i vetëdijshëm për një gjendje fizike akoma optimale, përkundër kohës së vogël të aktivizimit, që i ka ofruar Frank Lampard në Londër, dhe 33 viteve mbi supe.

Ndryshimi i skuadrës është një përparësi e Giroud, që tashmë ka shprehur shqetësimin e tij për një situatë të komplikuar dhe të vështirë te Chelsea, që duhet zgjidhur. Ai duhet të luajë më shumë, sepse kështu do të kishte më shumë shanse të thirrej nga Franca për Kampionatin Europian të ardhshëm, një objektiv madhor i sulmuesit që kur triumfoi në Botërorin e Rusisë (2018).

Conte do ta mirëpriste me krahë të hapur si në janar të vitit 2018, kur mbërritja e Edin Dzeko në Londër u venit dhe trajneri salentin vendosi të besonte përsëri te francezi. Pak a shumë, sikurse ndodhi verën e kaluar, kur zikaltrit dështuan me marrjen e gjigantit boshnjak nga Roma dhe tani mund të ngushëllohen me Giroud. Pra, historia e Conte me francezin mund të përsëritet, këtë herë me ngjyrat zikaltër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *