Pele hap krahun, Messi i vë syrin tre rekordeve të mëdha të brazilianit

Leo Messi shënoi kundër Uruguajit (2-2) golin e tij të 70-të me kombëtaren e Argjentinës, një shifër e rrumbullakët që tashmë e vendos atë në ndjekje të tre rekordeve të Pelé. Nëse e ruan efektivitetin e tij para portave kundërshtare, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” mund ta mposhtë legjendën braziliane brenda vitit 2020. Ky parashikim dhe kjo përllogaritje bëhet nga @BarcaStat, llogaria në Twitter, e specializuar në statistikat e Barçës. Më poshtë mund të njiheni me tre rekordet e Pele, që mbeten të thyhen nga kapiteni i Albiceleste:

Golashënuesi më i mirë i kombëtareve të Amerikës së Jugut
Rekordi që ka më së afërmi për ta thyer është ai i golashënuesit më të mirë të skuadrave të CONMEBOL (Amerikës së Jugut). Kjo renditje kryesohet nga Pele, falë 77 golave që shënoi me Brazilin. Ylli i Barcelonës e sheh veten 7 gola më pas, të cilët mund t’i shënojë brenda vitit 2020, kur fillojnë kualifikueset e Botërorit të Katarit (2022) dhe do të luhet “Copa América”.

Golashënuesi më i mirë në një klub të vetëm
Messi, gjithashtu, duhet të thyejë rekordin e golave zyrtarë, të shënuar në një klub të vetëm. Pelé e mbylli me 643 gola karrierën te Santos, para se të shkonte te Cosmos. Kapiteni i Barcelonës ka shënuar deri tani 612 gola me katalanasit. Pra, vetëm 31 gola më pak se legjenda e Brazilit. Një hendek i mundshëm për t’u mbyllur brenda vitit të ardhshëm kalendarik.

Golashënuesi më i mirë, klube + kombëtare
Dhe së fundi, edhe më i largët, duket rekordi i më shumë golave zyrtarë, të shënuar me klubet dhe kombëtaren. Pelé realizoi 757 gola (643 me Santos, 37 me Cosmos dhe 77 me Brazilin), ndërsa Messi është në kuotën 682 ër momentin (612 me Barçën dhe 70 me Argjentinën). Cristiano Ronaldo, gjithashtu, e synon këtë rekord. Ai është edhe më i mirëpozicionuar se argjentinasi, pasi ka 706 gola (607 me klubet, mes Sporting Lisboa, Manchester United, Real Madrid dhe Juventus, plus 99 me Portugalinë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *