Trajneri Reja vë në siklet dy lojtarë kuqezi: Do të nis gjobat direkt për ju!

Kombëtarja ka nisur nga përgatitjet për dy sfidat përmbyllëse të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Euro 2020”: ndaj Andorrës me datë 14 dhe Francës tri ditë më vonë. Ditën e djeshme kuqezinjtë zhvilluan seancën e parë stërvitore nën drejtimin e teknikut Reja dhe stafit të tij.

Mungesa prej fluturimeve, lojtarë me ngarkesë muskulore të madhe, harmoni, batuta dhe risi me të rinjtë e afruar, kanë karakterizuar nisjen e punës në kompleksin stërvitor, për t’ia lënë vendin punës me seriozitet dhe përgatitjes për dy sfidat e fundit.

Binte në sy mungesa e Gjimshitit që nuk mundi të mbërrinte në kompleksin “Tropikal” në kohën e duhur. Për pasojë ai e humbi seancën e parë përgatitore. Ndërkohë, edhe dy portierët Strakosha dhe Berisha nuk zbritën fare në ambientet sportive, për shkak të lëndimeve, por mësohet se ata do të jenë të gatshëm për t’iu bashkuar grupit paraditen e sotme.

Në ditën e parë të grumbullimit stërvitje të diferencuar bënë Bekim Balaj për shkak të një dëmtimi në kofshë, si dhe Lindon Selahi e Lorenc Trashi, të cilët kryen vetëm 30 minuta përgatitje atletike për të rifituar energjitë e shpenzuara ditën e diel me skuadrat respektive.

Seanca e parë përgatitore nisi rreth orës 15:30 në ambientet sportive të kompleksit “Tropikal”, atje ku janë akomoduar kuqezinjtë. Minutat e para shërbyen për t’u takuar dhe përshëndetur me njëri-tjetrit, si dhe për të shkëmbyer batuta. Manaj dhe Memolla mbërritën të fundit në ambientet sportive dhe me shaka Reja tha: “Do aplikoj gjoba për ata që vijnë me vonesë në stërvitje”. Kjo batutë bëri me turp Memollën dhe Manajn që u përpoqën të gjenin justifikime, ndërsa shkaktoi të qeshura te pjesa tjetër e grupit, stafit teknik dhe gazetarëve të pranishëm anës fushës ku më pas u krye seanca stërvitore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *